Nga Express me 09 shkurt 2011 ne ora 1150
Pas një lufte 30-vjeçare, sot Angola po njeh rritje të madhe ekonomike: me më pak të varfër dhe më shumë miliarderë. Kryeqyteti nuk po ndalet më. Universitetet dhe kampuset duken si ato amerikane. E gjitha për të luftuar armiqtë e vjetër: varfërinë dhe korrupsionin.
Në orën shtatë të mëngjesit, punëtorët kinezë në kantieret që rrethojnë Fakultetin e Drejtësisë në Universitetin “Agostinho Neto” janë në punë prej kohësh. Dielli ka filluar të ngrohë qiellin e Luandës, kryeqytetit të vendit. Por kur violinat nisin të luajnë një pjesë nga simfonitë e Bethovenit, të gjithë njerëzit rreth e rrotull ndalin hapin.
Në kopshtin e universitetit po festohet ceremonia e dorëzimit të diplomave për 250 të diplomuarit e rinj. Klasa e ardhshme drejtuese e Angolës, e veshur në mënyrë elegante, bën foto dhe shkëmben buzëqeshje. Ata presin në të ardhmen që të marrin në dorë frenat e vendit me 12 milionë banorë dhe një sipërfaqe 1,246,700 kilometra katrorë me resurse të shumta (Angola është prodhuesi i katërt në botë i diamanteve dhe bashkë me Nigerinë, prodhuesi i parë afrikan i naftës), i cili ka treguesin më të lartë të zhvillimit për të gjithë Afrikën (më shumë se 13 për qind e GDP në 2009-n).
Pas skenës, Adelino Costa, 30 vjeç, përfaqësues i studentëve, pi pak ujë para se të nisë diskutimin e tij. E ka fytin të tharë nga emocionet. Duhet të flasë përpara një plateje me profesorë, gjeneralësh dhe ministrash apo edhe prindërve. Duhet t’i bindë të gjithë se kjo është koha e Angolës së re, koha e një vendi të dalë nga luftërat e zhvilluara aty për më shumë se 30 vjet, ku në më pak se një dhjetëvjeçar paqeje, numri i studentëve universitarë është rritur nga 9 mijë në 60 mijë.
Angola është bërë sot vendi ku qeveria (bashkë me Kinën dhe Portugalinë ka investuar qindra milionë dollarë për të ndërtuar kampusin më të madh të kontinentit afrikan: 25 mijë hektarë tokë në periferinë e kryeqytetit, ku është ngritur një strukturë që përfshin një rezidencë me 17.500 shtretër, auditorë, impiante sportive dhe biblioteka ku vitin tjetër do të transferohen studentët e “Agostinho Neto”. Në vend tani gjithçka duket e mundur. Kur Adelino mbërrin në fund të fjalimit, dëgjon fjalinë “e ardhmja i përket atyre që besojnë tek ëndrrat”. Luanda tashmë merr frymë e qetë.
Qyteti më i shtrenjtë në botë për turistët (shtëpitë shiten 12 mijë dollarë për metër katror, ndërsa një sandwich në një “fast food” kushton rreth 20 dollarë) nuk ka më kohë për të humbur, nëse dëshiron të ecë drejt progresit. Duhet ende shumë punë për të zgjeruar më tej zonën urbane dhe për të ndërtuar shtëpi të reja për më shumë se 5 milionë banorët e saj. Punimet kanë filluar përgjatë bregdetit për të ndërtuar autostradën e re me tetë korsi.
Në perëndim të qytetit po ndërtohen hotelet e para me pesë yje, për të mirëpritur amerikanët, kinezët, brazilianët, portugezët, të cilët vijnë në këto anë për të bërë tregti. Luanda po tregon se paratë e naftës mund ta bëjnë vendin të ndriçojë. “Ky është brezi i bollëkut, që kërkon gjithçka dhe konsumon gjithçka”, thotë Simao Soindoula, një profesor 67-vjeçar, i cili sot punon si këshilltar shkencor për UNESCO-n. “Ne jemi rritur mes plumbave, ndërsa të rinjtë sot kanë mundësi të dalin nga shtëpia dhe ta kenë ‘botën’ në dorën e tyre. Nuk e kthejnë më kokën pas. Për këtë arsye, Angola beson se e ardhmja e saj varet te të rinjtë që ndjekin universitetin.
Na duhet të transmetojmë vlerat për të cilat brezi im ka luftuar. Duhet të nxjerrim mjekë, avokatë, inxhinierë, por mbi të gjitha duhet të formojmë njerëz të ndershëm: përndryshe ky do të jetë gjithmonë një vend i korruptuar”. Kështu mendon edhe Feliciano Cangue, që ka një prej blogjeve më të ndjekur në vend. Ai është njëkohësisht një nga kritikuesit më të ashpër të Presidentit Dos Santos në pushtet, që prej vitit 1979.
Sipas ndryshimeve të fundit kushtetuese, ai mund të qëndrojë në pushtet deri në vitin 2022. Nga blogu i tij “Hukalilie”, Cangue ka përgëzuar investimin e qeverisë për arsimin e të rinjve. “Është një nga ngjarjet më domethënëse të viteve të fundit, që besoj se do të mbjellë kulturën e ndryshimit. Nëse të rinjtë do të zëvendësojnë të vjetrit e korruptuar, era e ndryshimit do të ndihet për të gjithë”, shkruan ai. Gjithsesi vendi, për sa i përket korrupsionit, sipas “Transparency International”, renditet në vendet e para. Edhe pse pragu i angolezëve që jetojnë në pragun e varfërisë është thuajse përgjysmuar në dhjetë vitet e fundit, janë të shumtë ata që jetojnë me më pak se 2 dollarë në ditë (rreth 38 për qind e popullsisë).
Edhe hapësira për shtresën e mesme është shumë e vogël. Kjo hapësirë është problemi për të rinjtë që dalin nga universiteti: nëse qiraja e një shtëpie të vogël në periferi i kalon 800 dollarë në muaj dhe rroga mesatare është 500 dollarë, për shumë njerëz zgjidhja e vetme është të qëndrojnë në shtëpi me prindërit. Yannick Afroman është një nga reperat, albumi i të cilit është më i shituri në historinë e vendit. “Nëse vendi ndryshon, edhe mentaliteti duhet të ndryshojë”, thotë Yannick. Natën muzika e tij mban zgjuar qytetin, duke i bërë të rinjtë të kërcejnë nëpër lokale, duke përzier pije të ndryshme energjike që të qëndrojnë në këmbë deri në agim.
Vajzat e veshura bukur e në majë të takave duket që janë në kërkim të njerëzve të pasur. Në tavolina takon njerëz si Wilson, 33 vjeç, një nga mëshirimet e shpirtit të këtij qyteti të paepur: i diplomuar në inxhinieri elektronike, ditën punon si menaxher në një rrjet dyqanesh me lodra për fëmijë, ndërsa mbrëmjeve ndryshon veshje dhe frekuenton lokale luksoze. Në fundjavat e nxehta të shooping-ut dyqanet e tij nxjerrin fitime deri në 50 mijë dollarë në ditë.
Ndoshta kjo është arsyeja që atij i pëlqen t’i lërë bakshishe të majme kamerierëve e t’i qerasë të gjithë. “Këtu je ajo çka ke. E rëndësishme është që të tjerët të shohin se sa i pasur je, vetëm në këtë mënyrë të respektojnë”. Në krah qëndron e fejuara e tij, Jin, 26 vjeçe, e cila ka ardhur nga Koreja e Jugut për të punuar në një nga shoqëritë e shumta imobiliare me kapital të huaj dhe miku i tij Ecumbi, producent kinematografik.
Wilson ka dëshirë të zhvendoset në Jins sepse sipas tij “Seuli nuk ndalet më, ecën më shpejt se Luana”. Ndryshe nga ai, Ecumbi, nuk ka ndërmend të largohet. “Ndihem në borxh. Kemi qenë në burg për 30 vjet. Tani që nisi të ndërtohet qyteti, nuk mund të largohemi”. Kur konsumohet edhe gllënjka e fundit e alkoolit, DJ. njofton se është ora për t’u kthyer në shtëpi. Ora shënon gjashtë e mëngjesit. “Shiko sa i bukur është qyteti tani. Do të doja ta shihja gjithmonë kështu, plot dritë. Këtu ka ende shumë për të bërë, por tashmë Angola e re po rritet nga dita në ditë”.
(Gazeta Shqip)
http://www.gazetaexpress.com/index.php/artikujt/rubrika/C112/C6/?cid=1,94,47190
http://lajme.buzqeshu.com/luanda-mrekullia-e-angoles.html
http://lajme.shqiperia.com/lajme/artikull/iden/1046993166/titulli/Luanda-mrekullia-e-Angoles
http://www.tiranachat.net/shqip/2011/02/lajme/kuriozitete/luanda-mrekullia-e-angoles/
0 comentários:
Postar um comentário